Dje në komunën e Likovës, Rrjeti i Grave në Shkencë (RRGSH) së bashku me Qendrën për Hulumtime dhe Krijim të Politikave (Center for Research and Policy Making- CRPM), realizuan konferencën përmbyllës të projektit “Përmes lenteve të grave”.
Në konferencën përmbyllëse morën pjesë përfaqësues nga institucionet kulturore dhe arsimore lokale, përfaqësues nga Komuna e Likovës, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si dhe këshilltarë komunalë.
Në fjalën hyrëse znj. Imrane Shabani, koordinatore për mundësi të barabarta në Komunën e Likovës foli mbi rolin e institucionit dhe hartimin e programeve vjetore të po asaj komune dhe ndarjen e buxhetit mbi baza gjinore. Kurse koordinatorja e Qendrës për Hulumtime dhe Krijim të Politikave (CRPM), znj. Ljupka Trajanovska foli për rëndësinë e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
Rrjeti i Grave në Shkencë në këtë konferencë u përfaqësua nga znj. Drita Memeti e cila në cilësinë e koordinatores së projektit prezantoi rezultatet e hulumtimit shkencor të realizuar gjatë periudhës 18 mujore në rajonin e komunës së Likovës duke ndarë me të pranishmit edhe të dhënat konkrete mbi numrin e nxënësve dhe mësimdhënësve të cilët gravitojnë në këtë rajon.
Sipas rezultateve të hulumtimit bazuar në iniciativat gjinore dhe nevojat e qytetarëve, Komuna e Likovës, në përgatitjen e programit vjetor për vitin 2023 dhe planifikimin buxhetor për vitin e ardhshëm, për herë të parë parashikoi të ndajë një buxhet të veçantë për nevojat gjinore i cili do të mbulojë vlerën deri në 78.000 den.
Publikimi në web faqen e organizatës www.rrgsh.org
Ose në linkun:
https://rrgsh.org/wp…/uploads/2023/09/publikimi-al.pdf
https://rrgsh.org/wp…/uploads/2023/09/publikacija-mk.pdf
Ky është një hap i rëndësishëm që pritet të sjellë ndryshime në mënyrën e konceptimit dhe zbatimit të nevojave gjinore në këtë Komunë.
Konferenca përmbyllëse u realizua në kuadër të projektit “Përmes lenteve të grave” i cili mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.